– Indonezia

Kur kriminelët argëtojnë spektatorin (ose: “Hannah Arendt e keqkuptuar” )

“The Act of Killing” – film amerikano-indonezian me regji te Joshua Oppenheimer

Filmi per te cilin dua te flas, edhe pse jo fort i komercial dhe aspak mainstream, ka ngjallur jo pak debate dhe polemikë po aq sa dhe eshte vleresuar ne disa festivale filmash te te Drejtave te Njeriut si dhe nga organizata te tilla si ‘Amnesty International’.
Behet fjale per nje dokumentar (me sakte, nje doku-fiksion) te  Joshua Oppenheimer, regjizor amerikan, i cili shkon ne Indonezi me kameren e tij per te investiguar per nje nga krimet me te pergjakshme te shek te XX : masakren e kryer ndaj komunisteve (por dhe ndaj atyre qe gabimisht konsideroheshin si te tille) ne vitin 1965, rreziku ndaj te cileve u perdor si pretekst per puçin ushtarak te gjeneralit Suharto nje vit me pas, si dhe mbajtjen se pushtetit po nga ana e tij per 30 vjet me rradhe (deri ne 1998).

Por per te thene se ç’mendoj per kete film fort polemik, se pari po tregoj (gje qe e bej rrallë!) se si eshte i ndertuar  vete “The act of killing“  (trailer : ketu)
***

Ne 1965, njerez te thjeshte te dyshuar si komuniste, u bene viktima te nje masakre masive ne Indonezi. Pjesa me e madhe e studimeve mendon se ka patur te pakten 500 mije te vrare; te shumten 2 milion.

Ne qender te filmit jane 2 ish-kriminele, Anwar Congo et Herman Koto (ne foto, majtas) nga qyteti i Medan-it, te cilet e kane fjalen nga fillimi deri ne fund te tij : fizikisht ngjajne pak a shume si i Holli me te Trashin (Laurel & Hardy).
Filmi bazohet tek ‘ndjesia’ subjektive qe nje personazh historik (ne rastin konkret, nje kriminel) ka per nje eveniment (ne rastin konkret, nje masaker) : nga njera ane, filmi nenvizon karakterin banal te psikologjise se ketij personazhi, dhe nga ana tjeter, po aq nenvizon edhe karakterin historik vendimtar te ngjarjes ne fjale (gjate te ciles ai ka luajtur nje rol jo te vogel!). Pikerisht ky rol, ne film, me se shumti pasqyrohet si i pershkuar nga ngjarja ne fjale (nga masakra) se sa krijues i saj, pra i masakres. Per shembull, rikonstituimi (riprodhimi) i fakteve, nuk merr ndonje rol qendror, principal: filmi nuk interesohet per kontekstin ideologjik dhe politik ne te cilin kriminelet vepruan (e vetmja fraze qe degjohet eshte fakti qe krimi u krye ne kuadrin e nje aksioni anti-kinez, anti-komunist, dhe kaq).

Megjithate, le te flasim per filmin. Ai eshte i ndertuar ne 6 kapituj te cilet nuk jane te ndare nga njeri tjetri me ndonje tabele, por me ca si pune skeçesh tip ‘musical theatre’ (fotot e mesiperme), pergjate te cilave Anwar Kongo et Erman Koto, pra dy ish-kriminelet  ne fjale, interpretojne perpara kameras se regjizorit fantazi te tyre: per shembull, ne njeren prej tyre, Herman Koto (i Trashi) shfaqet (si travestit) ne rolin e drejtueses se nje reviste tip ’tiller girls’ buze detit; ne nje tjeter, Anwar Kongo (i Holli) shfaqet ne nje ritual purifikimi i veshur si prift ne buze te nje ujevare, nderkohe qe viktimat e tij shfaqen rreth tij duke e falenderuar per krimet qe ka u bere, duke i dhuruar medalje merite, ne formen e nje catarsis-i grotesk. E keshtu me rradhe. Nuk e kuptoj fort mire qellimin e atyre skeçeve, dhe mu duken jo vetem te shemtuar (ok, ai ishte qellimi i tyre), por mu duken sikur e ftonin spektatorin te qeshte me shijet e keqia estetike te xhelateve, a thua se mungesa e kultures (pra gustot dhe shijet e tyre karagjoze) jane ato qe i bejne ata te tmerrshem dhe te urryeshem!
Nejse… po e kalojme kete punen e skeçeve… .

Pra filmi ndahet ne 6 kapituj :

– ne te parin, ish kriminelet intervistohen dhe shoqerohen tek vendi ku kryenin krimet e tyre (sot, dyqan çantash grash). Ata tregojne me gjeste se si i qeronin viktimat e tyre: u vinin rreth fytit nje tel qe e terhiqnin fort, ne distance nga viktima, dhe puna u krye. Tamam si ne foton majtas.
Pastaj “çifti” intervistohet rreth background-it te tij sociologjik dhe ata shpjegojne se per punen e tyre prej xhelati ishin frymezuar nga ‘filmat noir’ (filmat me gangsterë) amerikanë te viteve ‘40. Vrasjet i benin diten, ndersa naten punonin si roje diskoteke! Njeri nga dy gangot, deri edhe sot vishet tamam si Al Pacino i “Scarface” te Brian De Palma; tjetri, më së shumti vishet si travestit, qe te kujton nje karikature te Takeshi Kitano-s. Te dy kane shpikur edhe nje etimologji te re (komplet te genjeshtert !!) te fjales ‘gangster’, te cilen e shpjegojne edhe ne nje emision talk-show (ne te cilin jane te ftuar dhe ku duartrokiten nga publiku komplet debil!) : sipas tyre, gangster do te thote ”free men”, njeri i lire !! Pra ata ishin gangtera, njerez te lire, qe pastruan vendin nga komunistet, nga kinezet… etj etj.

– ne kapitullin e dyte, mesojme se ata qe benin lidhjen midis xhelateve (ekzekutuesve) dhe pushtetit ishin njerez intelektuale, te cilet merrnin ne pyetje personat e dyshuar e te denoncuar dhe pastaj ua kalonin gangove.

– ne te tretin, mesojme mbi rendesine e milicëve privatë paraushtarake ne Indonezine e sotme, te cilet kane per idol dhe kumbar… gangsteret e dikurshem! Veshur me rroba me ngjyra te ndezura, milicet kryejne aktivitete mafioze, per shembull marrin ne ”mbrojtje” tregetaret, sidomos e veçanerisht ata me origjine kineze (qe do te thote : vendosje gjobash te majme tregtareve kinezë, me pretekstin se “po ju mbrojme nga hajdutet” ) etj etj, oganizojne fushata elektorale  (vete ministri aktual i Rinise se Indonezise na paskesh qene dikur anetar i njeres prej ketyre bandave!) etj etj. Sa per njeriun e thjeshte indonezian, ne rastin me te keq, ai i konsideron keta gangstere si “yje televizive” ndersa ne rastin me te mire eshte thjesht indiferent (edhe pak i intimiduar por gjithsesi, lehtas talles ndaj tyre: “ç’jane keta karagjoze veshur me lajle-lujle“, me nje fjale).  Megjithate, problemi i dokumentarit eshte se nuk tregon asnje, por as edhe nje aspekt te vetem te jetes aktuale politike indoneziane, nderkohe qe nuk ka shume kohe (ne 1998-n), indonezianet debuan me ceremoni Suharton, diktatorin e tyre, permes nje revolucioni demokratik qe popuj te tjere do ta kishin jo pak zili.

– Ne kapitullin e katert, regjizori fton dy gangot ne nje studio televizive, pra ne xhirimin e nje filmi televiziv ne te cilin ata duhet te luajne, me rradhe, nje here edhe rolin e xhelatit dhe nje here tjeter ate te viktimave. Per te vjelur fjalen e ish-xhelateve, regjizori instalon dy dispozitivë : dispozitivi i pare eshte skena, plateja ku ata luajne (gangsteret perpiqen te jene ne maksimum bindes, me demek permes lojes psikologjike!!) dhe dispozitivi i dyte eshte lozha ku ata ulen per te ndjekur xhirimin e filmit ne fjale, gjithe duke qene te filmuar nga nje pseudo candid-camera (kamera e fshehte, por qe nuk eshte e tille, pasi ata duket se jane te mireinformuar qe po filmohen). Gangsteret arrijne te artikulojne mekanikisht disa fjale, permes te cilave pranojne se aktet e tyre ndaj te ashtuquajturve komuniste kane qene barbare, qe ish-armiqte e tyre (komunistet) kishin nje ideologji koherente ne raport me situaten sociale te fshataresise indoneziane ne vitet ‘60, biles pranojne se “perndiqnin njerez qe benin pjese ne nje organizate ilegale, nderkohe qe deri ne 65-n, ajo organizate ishte plotesisht legale” – pranojne vete gangot me gojen e tyre (behet fjale per PKI, Partine Komuniste Indoneziane,  partia e dyte per nga rendesia ne Indonezine e asaj kohe, shefin e te ciles, perpara se ta ekzekutonin ne 1965, e ka pas taku ne Tirane edhe Enver Hoxha).
Pastaj tregohen pasazhe nga xhirimi i skenave te masakrave te bera neper fshatra: fshatare te vertete luajne figurantët.

– ne kapitullin e peste e te gjashte, filmin qe kane xhiruar vete kriminelët, e shikojne ata vete, biles Anwar Kongo deshiron t’ja tregoje ate edhe nipave te tij! Ai i thote atyre se kur po luante rolin e nje viktime, ka ndjere humbjen e dinjitetit njerezor dhe i eshte dukur sikur vertet po e vrisnin, nderkohe qe nderhyn regjizori amerikan (dmth Joshua Oppenheimer) i cili i kujton atij se viktimat, e kishin te sigurte qe do vdisnin, ndersa ai, pra Anwari, ishte thjesht ne rol kinemaje! Anwari shfaqet i tronditur nga kjo gje.

Shkurt, edhe pse filmi perpiqet te hedhe drite mbi fakte historike si dhe të koncentrohet tek banaliteti i te Keqes (i misheruar tek xhelatet e dikurshem), prap se prap të lë pershtypjen se ne vend qe te na ofroje mundesine qe reflektojme mbi aktet e tyre barbare, me se shumti na propozon qe te gjykojme vertetesine e sjelljeve te tyre psikologjike, na propozon mimiken e xhelateve, performancen e tyre ne raport me realen (ate qe ka ndodhur vertet). “Veçantia psikologjike” e krimineleve zevendeson, ne nje fare menyre, informacionin historik. Per shembull: ç’kane bere keta dy tipat pergjate 48 viteve qe ndajne vitin e larget 1965 me ate te sotmin, pra 2013-en ??  Asnje pyetje e tille nuk u drejtohet atyre! As edhe nje e vetme !!

Ose, mund te shtrohet pyetja: kush e ka patur kete idene e realizimit te nje filmi me ish kriminelet, brenda vete filmit ne fjale : regjizori amerikan Joshua Oppenheimer apo ish-xhelatet ?? E ka bere kete, me qellim qe dy gangot te mund te deshmojne krimet e tyre, apo kane qene vete kriminelet qe e kane propozuar nje mizaskene (hollywoodianizem vulgar) te tille ?? Sepse te krijohet pershtypja se, në më te shumten e kohes, jane ata qe e terheqin prej hunde regjizorin qe i interviston, sesa e anasjellta !!

Eshte e vertete qe ne disa momente te caktuara, ndjehet nje fare reagimi nga ana e ish krimineleve per aktet e kryera. Per shembull, ne momentin qe njeri nga dy ish kriminelet shikon filmin e xhiruar ku ai luan rolin e nje viktime, ate e ze e qara. Keqardhje per krimet e bera ?? Hmmm, si zor te thuhet : duket me se shumti se i vjen si peshtirë nga vetja.  Ose, ne fund fare te filmit, te njejtin ish-kriminel  e  kap keq fare e vjella. Po kush na siguron se dy skenat jane xhiruar njera pas tjetres ?? (gje qe do konfirmonte se ka ndodhur vertet nje farë catarsis-i tek ai). Per me teper qe fundi i filmit te jep pershtypjen se më ne fund, edhe regjizori “ja doli mbane” dhe e shpetoi nderin e tij (imazhet i denuan kriminelët!!), sesa ndonje ndjesi se xhelatet u vendosen realisht perballe krimeve dhe ndjehet vertet se kane filluar te pendohen.

Mendoj se tek ”The act of killing” ka nje dialektike te rrejshme, qe ka te beje me vendin e estetikes ne raport me realen (realitetin) : ajo (estetika, forma kinematografike e filmit) perpiqet te na imponohet si sinteze, si konkluzion nepermjet faktit te surprizimit te saj (pra te vete estetikes) sa here qe nje ideologji arrin te mediatizoje vdekjen. Ne nje fare menyre, filmi te krijon pershtypjen se ai vete beson tek vdekja e Historise, sikurse beson tek kapaciteti i tij (si forme shprehese artistike) per te qene veçse nje skenografi. Nderkohe qe nje film i kesaj natyre ka per detyre : 1. te shpresoje tek mbijetesa (nga njera ane) dhe 2. të assume pafuqishmerine e saj, pra te vete kinemase, gjithe duke gjetur menyren per ta tejkaluar nje gje te tille – shembull, filmi “Shoah” ose filmat e kamboxhianit Rithy Panh.

°°°°°°°°°

Qe te kuptohemi: se pari, duhet thene se reprezentimi i masakrave, i gjenocideve apo krimeve masive nepermjet kinematografise eshte shume delikat, sidomos kur evokimi i tyre behet nepermjet fiksionit, rikonstituimit, dmth nepermjet ‘fals’, nepermjet ‘disguise’. Une njoh deri tani vetem NJE kryeveper filmike qe arrin ti afrohet per nga permasat nje gjenocidi si atij ndaj çifuteve gjate Luftes se II Boterore : “Shoah” e Lanzman. Kam prekur dy fjale per të ketu.

Nga ana tjeter, deshira per te ndryshuar boten permes nje filmi, duhet ta pranojme se eshte kapitull i mbyllur: kinemaja ne shek XXI, nuk eshte më mjeti kryesor shprehes i Botes dhe filmi i fundit qe ka patur deri diku impakt jo te vogel tek publiku, ka qene “Midnight express” (1978) – film skandaloz, por qe ndikoi realisht ne renien drastike te turizmit ne Turqi (nje gje e tille eshte konfirmuar me shifra, asokohe). Keshtu qe me duket se nese nga njera ane na duhet te pranojme se sot, ne shek XXI, eshte e pamundur te pretendohet se “ky film do ti sensibilizoje indonezianet” (per masakren ndaj komunisteve ne vendin e tyre ne vitet ‘60), nga ana tjeter duhet te pranojme se interesi i tij i vertete do te ishte debati se sa vlera reale ka ai, qofte dhe nje per nje pale sy te vetem (gje qe po perpiqem edhe ta bej, pasi edhe une fundja nuk jam veçse “nje pale sy” ). Dhe pikerisht, ajo qe i shqetesoi syte e mi ne kete film nuk eshte aq shume fakti qe ai (filmi, regjizori) u kerkon xhelatëve te dikurshem te riluajne skenat e krimeve te tyre (edhe pse nje dispozitiv i tille, formalisht dhe moralisht eshte shume shume i diskutueshem!!) se sa fakti qe prapa ketij reprezentimi (teatralizmi) spektakolar, “The act of killing” kerkon nga une si spektator, qe ne nje far’ menyre te zevendesoj super-egon (surmoi) “morale” te xhelatëve ! Nderkohe qe ata, veçse kete gje presin : venien ne skene (skenarizimin, ahengizimin) e fajit te tyre ! Dhe kjo per ata, nuk eshte veçse nje akt mirenjohjeje nga publiku. Dmth nga une!

Une e kuptoj qe regjizori mund te mbrohet e te thote se filmi i tij nuk eshte veçse nje portret psikologjik i nje krimineli, i nje xhelati fashist. Ok. Por problemi eshte se filmi ofron vetem nje shteg : ai luan me ambiguitetin e nocionit te ‘banalitetit te se keqes’ (Hannah Arendt) si dhe me ate te banalitetit te psikologjise se xhelateve. Venia ne skenë e shijeve te tyre te keqia artistike (qe ne film pershfaqet permes nje kitsch-i ekzotik) na nxjerr tek ideja paradoksale (prandaj dhe them ne titull se Hannah Arendt eshte keqkuptuar) qe keto tipare na qenkerkan edhe koncentrimi i aspektit te pashpjegueshem te krimeve te tyre! Nderkohe qe ata vete, kriminelet, çdo here qe pyeten, japin nje shpjegim nuk ka ku te shkoje më objektiv te asaj qe kane bere ( “komunizmi nuk ishte mall indonezian”, “ishte mall kinez”, “ja, komunizmi humbi, pra ne jemi pjese e nje fitoreje historike”  etj etj). A thua se ne Indonezi, vetem xhelateve u ka mbetur nje ‘memorje historike’ !!

Atehere : si ti filmoje, si ti intervistoje horrat nje regjizor ? Pyetje e veshtire. Ndofta duke mos i intervistuar fare. Ose, nese i interviston, ta filloje nga nje gje ‘e thjeshte’ : qe ne fillim, te mos i lejoje qe ta terheqin nga hunda (pra te beje ç’duan ata) e qe me pas ti krijojne pershtypjen e rreme se ata jane ne meshiren e tij. Jo. Sepse perndryshe, ne rastin me te mire ndeshja del barazim, dhe ne rastin me te keq… triumfojne horrat.

5.0

TRAILER I FILMIT : http://www.youtube.com/watch?v=tQhIRBxbchU

ose dhe nje tjeter trailer (click ne foto) :

  ***

Posted on 17th October 2013
Under: Te ndryshme | No Comments »