Kathryn Bigelow

Ç’është një ‘qelbësirë’ ??

“Zero Dark Thirty” – film amerikan me regji te Kathryn Bigelow

Filmi hapet me nje tabele ku shkruhet: « The following motion picture is based on first hand accounts of actual events » (filmi qe do te ndiqni eshte i bazuar ne deshmi direkte mbi ngjarje reale). Edhe pse lajmerimeve te tilla ne fillim te nje filmi i ruhem ashtu siç i ruhemi AIDS-it, duke patur parasysh se kisha lexuar diçka mbi filmin ende pa e pare, thashe ta ul ne minimum dozen e paragjykimit e te mos i ve fort rendesi asaj tabele. Per me teper, e dija qe vete regjizorja kish kembengulur se “paraqitja pamore nuk nenkupton mbeshtetje” (ne lidhje me torturat qe pershfaq filmi ne pothuaj pergjate gjithe gjysmes se parë te tij!). Shkurt, vendosa te jem nuk ka ku te shkoje më xhentil me filmin, edhe pse vizualisht, qe ne minutat e para ai eshte i nje mediokriteti aq te pashoq sa qe, normalisht (dhe sinqerisht), do ta kisha braktisur qe ne krye te gjysem oreje shikimi. Por kesaj rradhe isha betuar ta shihja ne totalitetin e tij. Do rezistoja me çdo çmim. Keshtu qe po e qep edhe per kete gje (per anen, te themi estetike te filmit) dhe zëreni se nuk thashe kurgje. Dhe po pranojme per njemend se Bigelow vertet nuk mban anen e askujt, qenka neutrale, e ftohte, apolitike ne trajtimin e saj regjizorial. Sidomos per skenat e torturave.

Por le te marrim nje shembull nuk ka më te thjeshte : andej nga mesi i filmit, nje skene e tij zhvillohet ne restorantin e Hotelit Marriott ne Islamabad. Maya – heroina jone, bisedon me te vetmen shoqe te sajen, e cila ne nje moment pyet bashkebiseduesen : « Do you have any friends ? » (A ke shoqe ??). Per nje çast vendoset heshtja. Maya nuk pergjigjet. Dhe pikerisht, ajo qe ndodh fiks pas atij çasti heshtjeje, eshte atentati (tashme i njohur, ai i vitit 2008) ne restorantin e hotelit ne fjale. Fiks ne ate moment! Fiks pas asaj heshtjeje!

Tani:
Po ta kisha perballe kathryn Bigelow-n, do ta pyesja : po mire moj zonje, dakort per skenat e tortures. Por, po biseda ne restorant, e zhvilluar fiks pak sekonda para se te ndodhe atentati (qe eshte nje fakt real, dakort), ka ndodhur realisht ne ate moment ?? Sigurisht qe jo! Dhe sigurisht qe atentati terrorist eshte, ne planin regjizorial, pergjigja qe Bigelow i jep pyetjes mbi mungesen e miqve nga ana e heroines sone ! A ka më shembull më evident se si Bigelow perpiqet te orientoje preokupimet e personazhit drejt asaj qe i intereson regjizores, pra terrorizmit ??! Dhe Bigelow na flet per pa-anësi ??? Eshte mese evidente qe per te, vetem puna ka rendesi : heroina jone (dhe pa dyshim edhe regjizorja, qe pa dyshim identifikohet me të), s’ka se si te kete miq, sepse ka punen!

Ne fakt, ideologjia e filmit ushtrohet si “pa dashje” : “ja, keta njerez punojne, bejne punen qe u eshte caktuar, zbatojne urdherat” – na thote regjizorja. Dhe keshtu, justifikohen “pa dashje” veprimet e tyre moralisht te ndyra (tortura, ne rastin konkret). Kur nje superior i Maya-s, heroines, i thote ne nje mbledhje kesaj te fundit : “« Do your fucking jobs. Bring me people to kill ! », regjizorja nuk i jep asnje shanc spektatorit te arsyetoje, te mendoje nese eshte apo jo legjitime nje zgjedhje e tille. Dhe sa eshte. Jo ! fare ! Bombardimi i filmit me skena te tilla i imponon atij (spektatorit) idene se behet fjale per nje histori hakmarrjeje (ata vrane 3 mije veta ne 11 shtator; po ne, sa duhet te vrasim??) dhe kaq. Legjitimiteti as qe vihet ne pikepyetje. Ai eshte i pa-atakueshem ! Zgjedhja (ideologjike, kuptohet) eshte bere tashmë nga regjizorja! Zgjedhje qe edhe korrespondon natyrshem me objektivin e filmit e qe eshte NJE DHE VETEM NJE : mos-humbja (ruajtja) e tregut te ideologjise “made in USA”, pra mos-humbja (mbajtja nen kapistall) e spektatorit amerikan. Dhe atij oksidental, per rrjedhoje. Pikerisht, sepse pretendon se eshte i depolitizuar, filmi ne fjale eshte mizerabel dhe i perbuzshem : ”Mos reflektoni. Vetem eksitohuni ! Keshtu edhe s’keni pse reflektoni”.

Ne fakt, eshte e njejta gje si edhe tek filmi i saj pararendes, pra tek “The Hurt Locker” : duke vendosur ne fillim te tij nje citat  te Chris Hedges kunder luftes, regjizorja bente thjesht nje makijazh, sepse gjithe vazhdimi i filmit ishte nje koncentrim i aspektit pulsiv te Luftes. Me demek, apolitik. I ftohte. I ç’ideologjizuar. Me nje llaf : le te harrojme kontekstin (historik, politik…) te saj ! Po a ka gje më ideologjike se nje gje e tille, pra harrimi, fshehja e kontekstit, arsyeve te nje lufte te tille ?? A ka gje më ideologjike per nje film sesa mosdhenia e mundesise se spektatorit per te reflektuar per nje fenomen te tille ??

Kthehemi tek “Zero dark Thirty” : a ka më ideologjike se perzgjedhja si heroine kryesore e nje aktoreje kaq bardhoshe, kaq ‘te padjallezuar’ (ne pamje!), kaq delikate ?? Jessica Chastain (Maya), aktore kryesore ne rolin e nje nëne nuk ka ku te shkoje më e ndjeshme tek “The Tree of Life”, kesaj rradhe ka pergjegjesine per te reprezentuar nje grua te re brilante te rekrutuar nga CIA. Arsyet e nje casting-u te tille jane fort kollaj te kuptueshme : nepermjet fytyres se saj engjellore, pilula qe filmi na ofron te kaperdijme, mund kaperdihet SHUUUUME me kollaj !
Pyetje : Pse duhet te vritet Bin Laden ??
Pergjigjet filmi : Po qofte dhe per hater te punes se mrekullueshme te kesaj engjelloreje, ne mesin e gjithe atyre maçove ! Per hater te punes se saj, e qe pothuaj askush nuk ja ve veshin !
Keshtu, vdekja e kryeterroristit te Botes firmoset “mire e bukur” permes fytyres engjellore te nje gruaje qe kete çeshtje ka vendosur ta ktheje ne nje “çeshtje personale” (vdekja e shoqes se saj te vetme ne atentat, puna e saj e palodhur e qe askush nuk ja var… etj etj). Nen te njejtin regjister jane pershfaqur dhe torturat : te tilla sikur ato nuk ushtrohen mbi trupa njerezish, por mbi trupa te pajetë ! Rendesi ka fytyra e Maya-s, te cilen sigurisht, e kemi peshqesh gjate gjithe filmit, e sidomos.. NE FUND TE TIJ !

Ne fund, Maya qan.
Po ç’lot jane ata ??
Nuk ka rendesi.
“Mbi te gjitha mos reflektoni” – thote regjizorja

°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°°

Dy fjale per ta mbyllur :

Ne filozofi, koncepti i qelbesires (i horrit) eshte sartrian. Sipas tij, qelbesirë (salaud, fr. ) eshte ai (ajo) te cilit(ciles) i genjen mendja se eshte Dikushi, qe e merr veten shume seriozisht, ai (ajo) qe harron contingence-n e tij, pergjegjesine e tij, lirine e tij, ai (ajo) qe eshte i bindur ne miresine e besimit (bindjes) se tij. Dhe qe eshte, gjithmone sipas Jean-Paul Sartre, edhe definimi i vete te keqes : qelbesire eshte ai (ajo) qe i duket vetja Zot, ose qe edhe i bindur se Zoti (ose Historia, ose E Verteta) eshte ne anen e tij dhe kjo autorizon ose justifikon gjithe ç’ai (ajo) mendon se duhet te beje. Te kryeje. Te realizoje.

C’eshte nje ‘qelbesirë’ ? Nje egoist(e) qe e ka ndergjegjen te qete, qe eshte i bindur se eshte ‘njeri i mire’, dhe per rrjedhoje, qelbesira sipas tij (saj) nuk eshte veçse… tjetri ! Vendosni emrin e regjizores ne fjale ne vend te ‘ ai (ajo) ‘ dhe do te kuptoni filmin e saj…

Nota ? Per mua, filmi vlen sa vete titulli i tij: ZERO me xhufke.

trailer : http://www.youtube.com/watch?v=cAtWcvCxPhc

 

Posted on 5th February 2013
Under: Te ndryshme | No Comments »