Wang Bing

‘Til madness do us part

Filmi i fundit i Wang Bing, me te madhit dokumentarist (dhe jo vetem dokumentarist!) kinez (dhe jo vetem kinez!) zgjat 4 orë: ngjarjet zhvillohen ne nje “azil budallenjsh” ne nje province te humbur te Kines.

Kuptohet, nocioni i azilit ne kete rast eshte ca i gjere: në të vegjetojne qe nga ata qe jane realisht me te meta mendore, ata qe familja i trajton si te tille sepse s’ka ku ti çoje, e deri tek ndonje vagabond qe ka kryer krime te vogla dhe qe drejtesia kineze e çon “per ta riedukuar”. Ka pacientë qe jane aty prej 20 vitesh sikurse ka dhe nga ata qe jane prej 20 ditesh.

Ne fakt ngjarjet, me shume se sa ’zhvillohen’, duhet thene se ndodhin. Ndodhin, ashtu si edhe vete Wang Bing qe u ndodh me nje kamera ne sup per 4 muaj non-stop ne azilin ne fjale i shoqeruar vetem nga nje asistent per te filmuar nate e dite heronjt e tij, gjithe duke arritur aq mire te ‘zhduket’, te behet i padukshem ne ate pike sa, per shembull, kamera e tij eshte e afte te regjistroje nje te çmendur qe nuk arrin ta zere gjumi ne 2 te nates, por pa na krijuar ne spektatoreve qofte dhe me te voglen pershtypje se regjizori ka qene ne te njejten dhome me të!

Wang Bing jo vetem qe ka xhiruar per muaj te tere, por mbi te gjitha ka integruar temporalitetin e ‘personazheve’ te tij (njesoj siç integronte temporalitetin e motrave te braktisura ne fshatin e humbur Yunnan ). Ndryshimi i vetem eshte se, ne vend te maleve, kesaj rradhe behet fjale per qeli azili dhe, ne vend qe te punojne nga engjesi ne darke ( “Motrat e Junnanit” ), protagonistët e tij kesaj rradhe thjesht merziten, pra mezi shtyjne kohen nga mengjesi ne darke. Perndryshe, eshte e njejta mizerje, e njejta papasterti: “Lasciate ogni speranza, voi ch’entrate” : Harroni çdo shprese -thote Dantja kur na fton te hyjme tek “Ferri” i tij. Dhe qe ne rastin e filmit ne fjale perkthehet: “Te dashur spektatorë, me perjashtim te kolltukut te kinemase, jeni te lutur te braktisni çdo konfort”.
Amen!

“Til the Madness do us part” perbehet nga skena te filmuara pergjate minutash te tera, ku secila eshte e nje realizmi çarmatoses: filmi eshte aq ‘i vertete’, aq ‘realist’, sa qe ne teresine e tij, ai kthehet “paradoksalisht” ne metaforë te botes ne te cilen jetojme, nje metaforë qe ne fund te 4 oreve te filmit na ben ti shtrojme vetes pyetjen : “Cilet jane te çmendurit e vertete: ata ne azil apo… ata jasht tij??”

Per ne si spektatore, eshte e kote te aventuroemi per te kuptuar se si proçedon teknikisht Wang Bing gjate xhirimeve ne azil (gjera te tilla bejne pjese tek magjite e zanatit te kineastit, edhe pse nje ide e kam) por une di qe, ne 4 ore, nuk ka per asnje sekonde te vetme as perçmim, por as edhe meshire. Vetem compassion (qe ne shqip perkthehet dhembshuri, por nuk jam i sigurt se eshte fjala adekuate).
Ose me sakt, ka vetem empathy (qe po ashtu perkthehet ndjeshmeri, por qe ne shqip, gjithsesi me duket reduktuese).

Shkurt: ndofta diçka me pak se dhembshuria. Por diçka me shume se ndjeshmeria.

Ose diçka midis te dyjave.

Ose nese do guxojme ta themi: HUMANIZEM

nota: 10!

trailer i filmit: https://www.youtube.com/watch?v=HQasOgIlAgs

CLICK :

Posted on 29th April 2015
Under: Te ndryshme | No Comments »

“Fengming” – film kinez me regji te Wang Bing

  Ne nje fare menyre, ky film eshte “gjysma” e nje diptiku, ku gjysma tjeter do te qe “The Ditch” (hendeku), nga po i njejti regjizor, dmth nga kinezi Wang Bing.

Per kete te fundit, tek filmi i sipermendur, kam shkruar :

Nese pranojme se tre filmat dokumentarë artistikë me te rendesishem te shek. te 20 per nga pesha, volumi apo fuqia artistike kane qene “Milestones“, “Shoah” dhe “Le fond de l’aire est rouge” (Horizonti eshte i kuq), me te gjith gjasat, shekulli 21, edhe pse ne fillimet e tij, ka tashmë arsye pse te mburret, mbi te gjitha me dokumentarin 8 orësh “Tie Xi Qu: West of the Tracks” (aka :”A l’Ouest des rails”) te regjizorit kinez Wang Bing : historia 8 oreshe agonisë se Kombinatit me te madh Metalurgjik ne bote“.

Dhe ashtu sikurse tek “The Ditch” (Hendeku), regjizori vazhdon punen e tij (më shume se titaneske !) per arkivimin e Historise moderne te Kines. Kesaj rradhe, ne qender te dokumentarit te tij (qe ne fakt, eshte më shume fiksion se sa treçereku i filmave qe dalin sot ne kinema!), eshte Fengming, nje grua kineze te te 80-t : pergjate 3 oresh, non-stop, tregon historine e saj te internimeve ne fund te viteve ‘50 dhe pastaj ne fund te viteve ‘60, ne epoken e Mao Ce Dunit.

  Ky majtas eshte pothuaj i vetmi plan filmik (me dy-tre perhashtime te vogla) qe shihet pergjate gjithe kohes sa zgjat filmi. Gjithshka eshte e bazuar tek fjala e Fengming-ut.

Mua me pelqeu; nuk ndjeva te merzitem asnje moment te vetem pergjate 3 oreve. Megjithate, mendoj se fjala e saj nuk arrin te kthehet teresisht ne hipnoze. Te hipnotizoje. Ndofta u ka dash filmuar edhe më shume, edhe më gjate deshmia e saj, pasi vetem nga treçereku i filmit ndjehet se heroina “humbet” teresisht ne rrefimin e saj. Ndofta u ka dash qe regjizori te beje nje perzgjedhje tjeter, dhe jo ate te regjistrimit non-stop, pergjate 3 oresh, brenda nje pasditeje, te deshmise ne fjale. Te krijohet pershtypja se filmi eshte ne funksion te kohes (3 ore), dhe jo koha ne funksion te filmit. Duhet te ishte kjo e dyta, pasi vetem keshtu do te mundesohej qe deshmia ne fjale te fitonte fuqinë e duhur, te kthehej ne hipnozë.

Gjithsesi, pune fort e levdueshme: 8.7

 

 

trailer : 

 

Posted on 3rd May 2012
Under: Te ndryshme | 1 Comment »

“The Ditch” (Hendeku) – film kinez me regji te Wang Bing

Nese pranojme se tre filmat dokumentarë artistikë me te rendesishem te shek. te 20 per nga pesha, volumi apo fuqia artistike kane qene “Milestones“, “Shoah” dhe “Le fond de l’aire est rouge” (Horizonti eshte i kuq), me te gjith gjasat, shekulli 21, edhe pse ne fillimet e tij, ka tashmë arsye pse te mburret, mbi te gjitha me dokumentarin 8 orësh “Tie Xi Qu: West of the Tracks” (aka :”A l’Ouest des rails”) te regjizorit kinez Wang Bing : historia 8 oreshe agonisë se Kombinatit me te madh Metalurgjik ne bote.

Kaq mjafton per te shprehur kuriozitetin me te cilin e prisja filmin e pare fiksion (metrazh te gjate) te regjizorit ne fjale, dmth “The Ditch” ( HENDEKU), i cili perveç pjesemarrjes ne Festivalin e vjetshem te filmit ne Venecia, nuk ka arritur ende te gjeje distributor neper kinemate e Europes. Per fat, kanali televiziv franko-gjerman ‘arte’ e transmetoi të shtunen!
Filmi e merr temen nga kampi i punes ‘Jiabiangou’ ne vitet 1957-1961 (epoka Maoiste) ne shkretetiren Gobi në Kinë, ku nje pjese e madhe e 3000 te burgosurve politike ne te vertete lane kockat, per shkak te nje urie te pashoqe. Duke qene se shkretetira i ka ruajtur nje pjesë te mire te traseve dhe hendeqeve ku jetonin dhe punonin te burgosurit, regjizori i ka bere xhirimet e lojes se aktoreve ne te njejtat vende gjeografike dhe autenticiteti eshte më teper se i admirueshem.

Hendeku” nuk eshte film i dashur, sepse asnjehere nuk ta ben qejfin (ose, siç thuhet ne frengjisht, “il n’est jamais complaisant”). Filmi nuk toleron per nga vertetesia dhe realizmi i skenave (ne njeren prej tyre, shihet nje i burgosur qe rrëmon per te gjetur diçka per te ngrenë midis te vjellave te shokut te tij, po ashtu i burgosur). Por pikerisht, me duket se aty qendron fuqia e filmit : menyra se si Wang Bing realizon skena te tilla, ose ajo qe quhet trajtimi regjizorial, falë te cilit, nga gjithe ky rrugetim i llahtarshem ne ferr, lindin megjithate shkendija humanizmi.

Ka diçka fordiane tek “Hendeku” : jo vetem sepse behet fjale per nje pushtim (conquest) te Veri-Perendimit kinez – shkretetira e Gobit (sikurse behet fjale per Pushtimin e Perendimit -The Conquest of the West – tek filmat e John Ford-it), por edhe sepse shkretetira, shpellat dhe hendeqet e saj jane te ndriçuara njesoj : me ndihmen e drites qe vjen ne contre-jour (back-light) : njesoj si tek ato te Mjeshtrit amerikan ! Por fundja dhe ajo qe po arrin Wang Bing permes filmave te tij, eshte, in fine, e njejte me ate qe ka arritur John Ford ketu e 50 vite me parë : te tregoje Historine e Pushtimit (Conquest), te vendit te tij te gjeografikisht te pamatë. Pushtim qe ka diçka prej mundimit te Sizifit !

Po e ilustroj këtë me fotot e meposhtme :
dy te parat, i perkasin filmave te amerikanit John Ford, ketu e 60 vite me pare;
te dytat, i perkasin atij te kinezit Wang Bing, 60 vite më pas : e njejta dritë (back-light) per te ndriçuar mitologjine e dy vendeve, ne dukje kaq te ndryshem :

Nese do te kish diçka te kritikueshme ne film, do te ishte nje far “demonstrimi foce” insistues (flas gjithmone per nga ana regjizoriale), ndjenje qe pata pasi filmi mbaroi. Por kjo me duket se vjen nga fakti qe “Hendeku” nuk ka mundur te realizohet teresisht ashtu siç kish qene parashikuar : regjizori e ka xhiruar ate fshehurazi ne Kine, ku autoritetet ende ndalojne qe filmat e sotem kineze te evokojne faqe te tilla te erreta te historise moderne te ketij vendi. Biles pas disa javëve xhirim, regjizori eshte detyruar te ikë me ngut nga sheshi i xhirimit, duke shpetuar keshtu filmimet e kryera (e duke realizuar montazhin e tyre ne France).

9.0

 

ps: filmi ritransmetohet nga ‘arte’ te enjten 21 prill, ne oren 2 e 45 te mengjesit. Përgatisni regjistruesit.

http://videos.www1.arte.tv/fr/videos/_le_fosse_de_wang_bing-3412586.html

***

Posted on 20th April 2011
Under: KineVenezia | No Comments »