Chantal Akerman

“La folie Almayer” (Çmendia Almayer)- film belg me regji te Chantal Akerman

I ka ardhur rradha nje Zonje te madhe te artit te 7, shume te madhe biles : regjizores belge Chantal Akerman (photo)
Nese ajo do te lexonte keto qe shkruaj, regjizorja do me zinte me drù, pasi zor se ajo vete e konsideron veten Zonje, aq me pak – te madhe ! Por nje epitet te tille une ja vura per hater te respektit te pamate qe personalisht kam per punet e saj, per filmat e saj.

Akerman (lindur ne 1950) thote se vendosi te behej regjizore andej nga viti 1965, pikerisht kur pà ne kinema “Pierrot le fou” te Godard-it. Pra kur ishte veçse 15 vjeç ! Ajo ç’ka e ndihmoi me se tepermi ne karrieren e saj (besoj se edhe per fjalen ‘karriere’, Akerman do më zinte prap me drù !), ka qene qendrimi ne USA per disa kohe, ku dhe u njoh me avant-garden amerikane (mbi te gjitha me filmat e videoastit Michael Snow, bazuar kryesisht tek shtriqja e kohes se filmit).

Ne 1975, Chantal Akerman, 25 vjeçe, realizon filmin e saj te trete : “Jeanne Dielman, 23 quai du commerce, 1080 Bruxelles”, ose i njohur shkurt edhe si “Jeanne Dielman“. Pikerisht ai film mund te hyje pa frike ne rrethin e ngushte te atyre qe mund te quhen “filma-ngjarje ne Historine e Kinematografise”. Ketu nuk eshte fjala per ndonje sukses publik te filmit, as per ndonje incident apo eveniment te veçante lidhur me të por per diçka tjeter.
Behet fjale per rendesine qe ai paraqet per vete kinematografine si art, i cili ka njohur disa filma-ngjarje te tilla, per shembull :
-”Birth of a Nation” (1915) e Grifith, konsideruar si metrazhi pare i gjate i Historise se kinemase
– “Atalante” i Jean Vigo (1934) si nje nga filmat-poemë te parë fare, bashke me ata te Murnau (Faust, Sunrise, Tabu)
– Disa nga filmat e Chaplinit pas 1930-s, cilesia artistike e te cileve beri te mundur marrjen seriozisht ne konsideratë te zerit dhe triumfin definitiv te filmave me zë.
– “Rebel Without a Cause” (1955) i Nicolas Ray-t (me James Dean), i xhiruar ne CinemaScope (perdorimi i objektivit deformues) qe shikohej deri atehere me shumë skepticizëm nga kinofilët e atyre viteve (njesoj si sot me 3D !!)
– “Avventura” e Antonionit (1960), pa dyshim filmi i pare i Erës Moderne te kinematografise

Jeanne Dielman” (1975 – kam shkruar diçka per te ketu ) eshte pikerisht i ketyre permasave : gjuha kinematografike qe Chantal Akerman perdor në të, eshte nje revolucion i vertete! Te pakten une personalisht, per nga vlerat formale, e konsideroj si nje nga 4-5 filmat më mbresëlënës qe mund te kem pare (dhe sigurisht, vlerat e filmit nuk mbeten vetem ne rrafshin e formes artistike te vepres ne fjale pasi permbajtja e tij eshte po aq e levdueshme). C’eshte edhe më interesante eshte fakti qe “Jeanne Dielman” eshte shfaqur edhe ne kryeqytetin e vendit te shqipeve, në 2011, ne kuadrin e Bienales se Tiranes : http://filmjournal.thedigitalfix.com/autori/2009/10/09/446/

Por edhe pas filmit ne fjale, Akerman nuk ka rreshtur ndonjehere se tentuari per te gjetur forma te reja shprehese kinematografike; ndofta filmat e saj (fiksione dhe dokumentare) nuk kane qene gjithmone 100% te arrire, por kurre amà stagnant. Gjithmone kerkues ndaj vetes, gjithmone ambicioze (ne sensin më nobel te fjales) : gjithmone bërë me deshiren per te tejkaluar pararendesin (edhe pse, duhet pranuar se me “Jeanne Dielman”, Akerman e pat vendosur ca si fort lart stekën e kercimit te saj së larti… ).

I tille eshte dhe “La folie Almayer” (Çmenduria Almayer), filmi i fundit i saj : fort i mire, puro kinematografi ne çdo minut te tijin, por ndofta jo teresisht i arrirë ne teresine e tij…
Filmi eshte lehtazi i bazuar ne romanin me te njejtin titull te anglezit Joseph Conrad : eshte historia e nje europiani, diku ne nje vend te Azise Jug-Lindore dhe i vajzes se tij. Dikush. Diku. Dhe disa tema te tilla si Faji, Shpetimi (redemtion), Humbja, Tjetri. Por pa me te voglin element fetar brenda, po aq sa mungesa totale e romantizmit (ndofta tipari më karakteristik i filmave te saj !). Lirizem PO. Romantizem, fare !

Nje nga te rrallët filma te ketyre dy-tre viteve te fundit qe do doja ta rishihja, edhe pse nuk ka as me shume se 24 ore qe kam dale nga kinemaja… (edhe pse, ‘fshehtazi’ e di qe dua ta rishoh mbi te gjitha per montazhin, per te cilin regjizorja, dihet qe eshte nje Mbretereshe e vertete !!)

 8.0

trailer i filmit : http://www.youtube.com/watch?v=4htK7exi8iQ

Posted on 1st March 2012
Under: BelgjikeIndipendentVenezia | No Comments »